Foto: CdM
Eurodeputeti kroat Tomislav Sokol ka ngritur shqetësime për përbërjen dhe qëndrimet e shumicës qeverisëse në Mal të Zi, duke vënë në pikëpyetje nëse ajo mund t’i përfundojë me sukses negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Gjatë debatit në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), ku komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, prezantoi paketën vjetore të zgjerimit të BE-së, Sokol vlerësoi përparimin e Malit të Zi në procesin e integrimit, por paralajmëroi për probleme politike që, sipas tij, lidhen me respektimin e vlerave evropiane.
Ai veçoi qëndrimet e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi ndaj personave të dënuar për krime lufte, duke kritikuar edhe mbështetjen që, sipas tij, i ka dhënë partia e kryeministrit gjatë përpjekjeve për shkarkimin e tij.
Sokol pretendoi gjithashtu se mbështetja për kryetarin e Kuvendit ishte koordinuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe persona të afërt me kryeministrin hungarez, Viktor Orban.
Duke iu drejtuar komisioneres Marta Kos, eurodeputeti shtroi pyetjen nëse një shumicë e tillë qeverisëse mund ta çojë Malin e Zi drejt anëtarësimit në BE, duke theksuar se respektimi i vlerave themelore evropiane duhet të jetë pjesë e procesit të integrimit.
Këto deklarata janë qëndrime të eurodeputetit Sokol, të paraqitura gjatë debatit në Parlamentin Evropian.










