DUKAJ: LIGJSHMËRIA DHE PËRGJEGJËSIA E INSTITUCIONEVE DUHET TË JENË MBI PRITSHMËRITË POLITIKE

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Ministri i Administratës Publike në Mal të Zi, Marash Dukaj, deklaroi në Kuvend se ligjshmëria dhe përgjegjësia institucionale duhet të kenë përparësi ndaj pritshmërive politike.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve lidhur me mbikëqyrjen e punës së pushteteve lokale, Dukaj theksoi se ministria vepron në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, duke pasur si parim kryesor mbrojtjen e interesit publik.

Ai bëri të ditur se që nga marrja e detyrës janë kryer rreth 1.000 kontrolle ndaj institucioneve të vetëqeverisjes lokale, me qëllim evidentimin e parregullsive, dhënien e rekomandimeve dhe marrjen e masave përkatëse kur ekzistojnë bazat ligjore.

Si shembuj të veprimeve të ministrisë, Dukaj përmendi komunat e Shavnikut, Budvës, Kotorrit, Mojkovcit, Beranës dhe Andrijevicës.

Ministri theksoi se asnjë institucion nuk mund të marrë vendime jashtë kompetencave të përcaktuara me ligj, ndërsa pritshmëritë politike nuk mund të jenë mbi ligjin.

Ai paralajmëroi gjithashtu për nevojën e përmirësimit të mekanizmave të mbikëqyrjes dhe forcimit të përgjegjësisë në pushtetin lokal, duke nënvizuar se ministria do të vazhdojë punën për një administratë publike më efikase, transparente dhe të përgjegjshme.

SHARE