MALI I ZI MUND TË NËNSHKRUAJË MARRËVESHJEN E ANËTARËSIMIT NË BE NË QERSHOR 2027

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Mali i Zi pritet të mbyllë të gjitha kapitujt e mbetur të negociatave me Bashkimin Evropian deri në fund të dhjetorit 2026, ndërsa marrëveshja e anëtarësimit mund të nënshkruhet në qershor të vitit 2027.

Sipas një plani orientues të Komisionit Evropian, i cili pritet të publikohet më 4 nëntor, gjatë muajve nëntor dhe dhjetor do të mbahen dy konferenca ndërqeveritare, ku parashikohet mbyllja e kapitujve të mbetur.

Në nëntor pritet të mbyllen pesë kapituj që lidhen me energjinë, transportin, sigurinë ushqimore, tatimet dhe lëvizjen e lirë të mallrave.

Ndërsa në dhjetor në fokus do të jenë kapitujt për drejtësinë, të drejtat themelore, sigurinë, mjedisin dhe politikën e jashtme.

Deri më tani, Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht 21 nga 33 kapitujt negociues.

Sipas planit, drafti i marrëveshjes së anëtarësimit duhet të përfundojë në pranverën e vitit 2027, ndërsa nënshkrimi i saj parashikohet të bëhet në qershor, nëse plotësohen të gjitha kushtet e nevojshme dhe merret miratimi i institucioneve evropiane. Komisioni Evropian thekson se ky është një plan orientues dhe se ecuria e procesit do të varet nga përmbushja e reformave dhe kritereve të anëtarësimit nga Mali i Zi.

Marrëveshja do të përfshijë gjithashtu mekanizma më të rreptë monitorimi deri në ditën e anëtarësimit.

Në rast të kthimit prapa në reforma, parashikohet edhe mundësia e shtyrjes së anëtarësimit.

Qeveria e Malit të Zi synon që vendi të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028.

SHARE