MILLATOVIQ: MALI I ZI NUK DUHET TA HUMBASE MUNDËSINË HISTORIKE PËR ANËTARËSIM NË BE

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, deklaroi nga Praga se vendi nuk duhet ta humbasë mundësinë historike për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke u bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë që përgjegjësinë ta dëshmojnë me vepra dhe jo vetëm me fjalë.

Pas takimit me presidentin e Çekisë, Petr Pavel, Millatoviq theksoi se synimi është që Mali i Zi të mbyllë të gjithë kapitujt negociues deri në fund të vitit 2026, të nënshkruajë Traktatin e Anëtarësimit gjatë vitit 2027 dhe në vitin 2028 të bëhet anëtari i 28-të i BE-së.

Ai bëri të ditur se mbështetja e qytetarëve për integrimin evropian tejkalon 70 për qind, duke theksuar se kjo përbën përgjegjësi për të gjithë faktorët politikë që të kontribuojnë në realizimin e këtij objektivi.

Gjatë vizitës në Pragë, Millatoviq vlerësoi rëndësinë e mbështetjes së Çekisë në përmbylljen e negociatave, shfrytëzimin e fondeve evropiane dhe modernizimin e sistemit të mbrojtjes së Malit të Zi.

Ai theksoi gjithashtu se bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes është një nga drejtimet e rëndësishme të marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat janë edhe aleate në NATO.

Duke folur për çështjet e hapura bilaterale me Kroacinë, presidenti malazez tha se ato nuk duhet të pengojnë rrugën evropiane të vendit, duke sugjeruar që mosmarrëveshjet të zgjidhen përmes arbitrazhit ndërkombëtar ose gjykatave ndërkombëtare.

“Ky është një rast historik. Sot është përgjegjësia jonë ta përmbyllim këtë proces dhe mendoj se nuk duhet ta humbasim këtë mundësi”, deklaroi Millatoviq.

SHARE