Kosova ka lansuar Platformën Nacionale të Identitetit Elektronik, Kuletën Digjitale dhe aplikacionin për nënshkrimin elektronik, me qëllim modernizimin e administratës dhe lehtësimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.
Kryeministri Albin Kurti tha se ky është një hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit, pasi qytetarët do të mund të identifikohen, të nënshkruajnë dokumente dhe të kryejnë shërbime institucionale pa pasur nevojë për vizita fizike.
Aktualisht, përmes platformës e-Kosova ofrohen mbi 330 shërbime digjitale. Ndërsa identiteti elektronik do të jetë pa pagesë dhe do të mund të përdoret përmes telefonave Android dhe iOS.
Ministri Lulëzon Jagxhiu njoftoi se nga java e ardhshme qytetarët do të mund të pajisen me identitet elektronik në shtatë qendra rajonale të regjistrimit civil, ndërsa më vonë shërbimi do të zgjerohet edhe në komunat e tjera.
Projekti është mbështetur nga Bashkimi Evropian me 3.2 milionë euro.
Synimi është që në të ardhmen shërbimet digjitale të harmonizohen me standardet evropiane dhe të mund të përdoren edhe përtej kufijve të Kosovës.









