PESË KËRCËNIME PËR BOMBA BRENDA 24 ORËVE, ALARMOHEN AEROPORTET EVROPIANE

Katër avionë pasagjerësh janë bërë shënjestër e kërcënimeve me bombë mëngjesin e së martës, duke shkaktuar alarm në aeroportet e Polonisë, Spanjës dhe Bullgarisë.

Këto raste vijnë më pak se 24 orë pas një kërcënimi të ngjashëm ndaj një fluturimi të kompanisë Wizz Air, i cili u devijua drejt Budapestit.

Një avion i nisur nga Londra drejt Varshavës, me 181 persona në bord, u devijua në aeroportin Modlin, ku pasagjerët u evakuuan dhe njësitë kundër bombave kryen kontrolle.

Një tjetër avion i Ryanair, nga Mançesteri drejt Spanjës, u ul në aeroportin e Murcias, ku 114 pasagjerë u evakuuan dhe avioni u kontrollua nga autoritetet.

Ndërkohë, një fluturim nga Kopenhaga u ul në Varshavë pas një kërcënimi tjetër, ndërsa një avion nga Izraeli u devijua drejt aeroportit të Sofjes në Bullgari, pas marrjes së një kërcënimi përmes emailit.

Një ditë më parë, një avion i Wizz Air, që fluturonte nga Londra drejt Sofjes, u detyrua të ulej në Budapest pas një alarmi për bombë.

Për shoqërimin e tij u ngrit në ajër një avion luftarak hungarez Gripen, pas aktivizimit të alarmit të NATO-s.

Deri më tani, këto incidente kanë shkaktuar masa të shtuara sigurie dhe evakuime, ndërsa kontrollet nuk kanë konfirmuar praninë e mjeteve shpërthyese.

SHARE