Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, ka deklaruar se më 6 nëntor Ministria që ai drejton do të përmbyllë një etapë të rëndësishme të punës në procesin e integrimit evropian të vendit.
Sipas Gjeloshajt, me përfundimin e detyrimeve në Kapitullin 1, ministria do të ketë përmbyllur me sukses punën në tetë nga gjithsej 33 kapitujt negociues për të cilët ishte përgjegjëse.
Ai bëri të ditur se ky rezultat përfshin 25 kritere të përmbushura dhe 514 akte e rregullore, duke theksuar se pas këtyre arritjeve qëndrojnë reformat dhe puna e vazhdueshme e administratës shtetërore.
Gjeloshaj falënderoi bashkëpunëtorët e tij për angazhimin dhe profesionalizmin, duke vlerësuar se anëtarësimi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian do të jetë shpërblimi më i madh për punën e bërë.
Ai theksoi gjithashtu se ky sukses ka rëndësi të veçantë edhe në aspektin politik, pasi, si shqiptar dhe përfaqësues i Forumit Shqiptar, dëshiron të dëshmojë se përgjegjësia politike nuk matet me numrin e përfaqësuesve, por me aftësinë, dijen dhe rezultatet konkrete.
Sipas tij, Forumi Shqiptar ka treguar se mund të mbrojë identitetin dhe interesat e shqiptarëve në Mal të Zi, duke marrë njëkohësisht përgjegjësi për proceset me rëndësi të veçantë shtetërore.
“Identiteti i fortë kombëtar, mbrojtja e të drejtave dhe interesave të shqiptarëve dhe përgjegjësia ndaj shtetit të Malit të Zi dhe së ardhmes së tij evropiane nuk kanë qenë kurrë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Ato përbëjnë themelin e veprimtarisë sonë politike”, ka theksuar Gjeloshaj.
Ai shtoi se rezultatet e arritura përbëjnë një kontribut konkret në rrugën evropiane të Malit të Zi dhe se ato nuk duhet të konsiderohen vetëm si sukses personal apo partiak, por si arritje e institucioneve dhe e të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në këtë proces.
Në fund, Gjeloshaj paralajmëroi se pas 6 nëntorit do të nisë një etapë e re për të dhe Forumin Shqiptar, pas përmbylljes së kësaj faze të rëndësishme të punës në procesin e integrimit evropian.










