GJELOSHAJ: NUK PRITET RRITJE DRASTIKE E ÇMIMEVE, MBËSHTETA EURO MODELIN

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, deklaroi se nuk pritet rritje drastike e çmimeve si pasojë e zbatimit të programit „Euro modeli“, ndërsa theksoi se kufizimi i marzheve është edhe masë parandaluese ndaj luhatjeve të mundshme në treg.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve në Kuvend, Gjeloshaj tha se masat për kufizimin e marzheve nuk janë ndërmarrë vetëm për shkak të programit „Euro modeli“ dhe rritjes së pagave, por edhe për të parandaluar presionet inflacioniste.

Ai siguroi se, në rast të rritjes së çmimeve, shteti ka mekanizma për të mbrojtur kategoritë më të cenueshme të shoqërisë.

Gjeloshaj konfirmoi se e ka mbështetur programin, megjithëse ka votuar kundër një ligji të paketës që lidhet me financimin e pushtetit lokal.

Ai gjithashtu deklaroi se sot qytetarët jetojnë më mirë se pesë vite më parë dhe se rritja e pagave, investimet dhe përmirësimi i standardit të jetesës duhet të shihen si pjesë e zhvillimit ekonomik të vendit.

Sipas tij, anëtarësimi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian pritet të sjellë përmirësim të mëtejshëm të standardit të jetesës.

Ndërkaq, Gjeloshaj deklaroi se financimi i Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor (PIO) do të funksionojë sipas një modeli të ngjashëm me atë të Fondit të Shëndetësisë, ku shteti ka marrë përsipër mbulimin e detyrimeve financiare.

Ai theksoi se financimi i Fondit PIO nga buxheti i shtetit përbën një model të sigurt për përmbushjen e detyrimeve ndaj pensionistëve, madje, sipas tij, është më i sigurt se sistemi i deritanishëm.

Gjeloshaj hodhi poshtë shqetësimet lidhur me këtë model, duke deklaruar se sistemi do të funksionojë dhe se përgjegjësia për zbatimin e programit i takon pushtetit ekzekutiv.

Ai gjithashtu u shpreh se qytetarët duhet të presin rritje të pagave dhe përmirësim të standardit të jetesës, duke theksuar se investimet dhe zhvillimi ekonomik janë tregues të rëndësishëm të përparimit të Malit të Zi.

SHARE