Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Deputetët e Forumit Shqiptar, Aleancës Shqiptare dhe Unionit Demokratik të Shqiptarëve kanë dorëzuar në procedurë parlamentare propozim-rezolutën për Masakrën e Tivarit dhe krimet e tjera të kryera ndaj shqiptarëve në Mal të Zi.
Lajmin e ka bërë të ditur në Facebook nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi dhe deputeti i Forumit Shqiptar, Nikollë Camaj.
Ai bëri të ditur se propozimi është nënshkruar nga përfaqësuesit shqiptarë Ilir Çapuni dhe Meto Zenka, si dhe nga Artan Çobi, shef i grupit parlamentar të Forumit Shqiptar.
Camaj u shpreh që ka pritshmëri që nisma të marrë mbështetje të gjerë në Kuvend, duke theksuar rëndësinë e rikujtimit të këtyre krimeve historike dhe garantimit që ato të mos bien në harresë.
“Urojmë të kemi sukses në përpjekjen për t’i rikujtuar këto krime dhe për të siguruar që ato të mos harrohen”, ka deklaruar Camaj.










