Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Demo, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, kanë bërë një bilanc të situatës së krijuar gjatë protestave të javëve të fundit në Tiranë, duke e cilësuar nivelin e dhunës si të paprecedentë.
Sipas Demos, gjithsej 347 persona janë lënduar, mes tyre rreth 200 punonjës policie, 107 protestues dhe 39 kalimtarë, përfshirë edhe gazetarë.
Ai bëri të ditur se 269 persona nën moshën 18 vjeç janë shoqëruar nga policia, ndërsa shtatë efektivë janë pezulluar dhe janë vënë nën hetim.
Ndërkohë, Hita njoftoi se janë identifikuar 52 persona të dyshuar për përfshirje në veprime të dhunshme, ndërsa materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Tiranës.
Demo paralajmëroi gjithashtu se Policia e Shtetit do të pajiset së shpejti me kamera trupi, fillimisht për efektivët në Tiranë, me qëllim rritjen e transparencës dhe dokumentimin e veprimeve gjatë ndërhyrjeve policore.
Drejtuesit e institucioneve u bënë thirrje qytetarëve të shmangin dhunën, ndërsa Hita kërkoi nga prindërit të mos lejojnë përfshirjen e të miturve në protesta të paligjshme.









