MARTA KOS PREZANTON PAKETËN E ZGJERIMIT TË BE-së MË 4 NËNTOR

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, do të prezantojë më 4 nëntor Paketën e Zgjerimit të Bashkimit Evropian për këtë vit, njoftoi Parlamenti Evropian.

Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Parlamentit Evropian, Kos do t’i paraqesë Komisionit për Punë të Jashtme vlerësimin e përparimit të nëntë vendeve kandidate dhe një vendi potencial kandidat në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Vlerësimi do të përfshijë rezultatet e arritura gjatë këtij viti në zbatimin e reformave të lidhura me procesin e integrimit evropian.

Pas publikimit të vlerësimeve nga Komisioni Evropian, raportuesit e përhershëm të Komisionit për Punë të Jashtme do të përgatisin projekt-rezoluta për secilin vend veç e veç.

Në këto dokumente do të paraqiten qëndrimet dhe rekomandimet e Parlamentit Evropian për rrugën e vendeve drejt anëtarësimit në BE.

Ndërkohë, Parlamenti Evropian ka njoftuar se më 5 nëntor do të zhvillohen edhe dialogje për instrumentet që lidhen me Ballkanin Perëndimor, Moldavinë dhe Ukrainën.

SHARE