ARMËPUSHIMI NË OLESHKY RESPEKTOHET, NIS OPERACIONI HUMANITAR

Armëpushimi gjashtëditor në qytetin e pushtuar të Oleshky-t, në jug të Ukrainës, është respektuar gjatë ditës dhe natës së parë, njoftuan zyrtarët të mërkurën. Megjithatë, Rusia dhe Ukraina kanë vazhduar sulmet në zona të tjera të konfliktit. Armëpushimi, i cili hyri në fuqi të martën dhe pritet të zgjasë deri të dielën, synon të mundësojë dërgimin e ndihmave humanitare për rreth 2 mijë banorët që kanë mbetur në qytet, si dhe evakuimin e civilëve që dëshirojnë të largohen. Në kuadër të operacionit pritet të dërgohen ushqime, ujë dhe ilaçe, ndërsa më pas do të hapen korridoret për evakuimin e banorëve. Përfaqësuesit për të drejtat e njeriut nga Rusia dhe Ukraina deklaruan se gjatë 30 orëve të fundit nuk janë raportuar shkelje të armëpushimit. Nisma ka marrë mbështetjen e Zonjës së Parë të SHBA-së, Melania Trump, e cila, sipas Shtëpisë së Bardhë, ka ndërmjetësuar për realizimin e misionit humanitar. Edhe Papa u ka kërkuar presidentëve Volodymyr Zelenskyy dhe Vladimir Putin që të lejojnë dërgimin e ndihmave dhe evakuimin e sigurt të civilëve. Nëse armëpushimi respektohet deri në fund, ai do të përbëjë një zhvillim të rëndësishëm që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, pasi përpjekjet e mëparshme për ndalimin e luftimeve kanë dështuar për shkak të mosbesimit mes palëve.

SHARE