DUKAJ DHE KURTI NË PRISHTINË: FORCIMI I BASHKËPUNIMIT DHE TRANSFORMIMIT DIGJITAL DREJT BE-së

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministri i Administratës Publike i Malit të Zi, Marash Dukaj, u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në margjinat e konferencës “KosovaPAR2026”, e cila po mbahet në Prishtinë.

Në fokus të bisedës ishte forcimi i bashkëpunimit dhe transformimi digjital në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Siç është bërë e ditur nga Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi, takimi u zhvillua në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, duke konfirmuar rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, përmirësimit të bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimit të përvojave në fusha me interes të përbashkët.

Vëmendje e veçantë iu kushtua rëndësisë së reformës së administratës publike, modernizimit të institucioneve dhe transformimit digjital, si procese kyçe për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike dhe avancimin e zbatimit të agjendës evropiane.

“Mali i Zi dhe Republika e Kosovës mbeten partnerë të përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal, promovimin e vlerave evropiane dhe ndërtimin e një perspektive të përbashkët për zhvillim, stabilitet dhe integrim evropian”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Administratës Publike.

SHARE