SPAJIQ: FORCIMI I SHTETIT LIGJOR, MISION PA AFAT

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, deklaroi se forcimi i shtetit ligjor mbetet një mision afatgjatë, ndërsa theksoi se gjyqësori i pavarur dhe efikas është një nga shtyllat kryesore të një Mali të Zi demokratik dhe evropian.

Duke folur në ceremoninë me rastin e Ditës së Gjyqësorit të Malit të Zi, Spajiq vlerësoi se bashkëpunimi institucional dhe rezultatet e arritura gjatë tri viteve të fundit dëshmojnë se tri degët e pushtetit mund të jenë të pavarura dhe njëkohësisht të kontribuojnë në realizimin e objektivave shtetërore.

Ai bëri të ditur se Qeveria ka dorëzuar në Bashkimin Evropian pozicionin negociues për kapitujt 23 dhe 24, të cilët lidhen me gjyqësorin, të drejtat themelore, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, me synimin për t’i mbyllur deri në fund të vitit.

Spajiq theksoi gjithashtu se janë ndërmarrë hapa për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe përmirësimin e pozitës materiale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, përfshirë ndryshimet kushtetuese dhe miratimin e ligjit të posaçëm për të drejtat e tyre.

Sipas tij, integrimi evropian nuk duhet të jetë qëllimi i vetëm i reformave, por një nxitje për forcimin e institucioneve, sigurisë juridike dhe besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

“Forcimi i Malit të Zi si shtet ligjor është një mision që i tejkalon të gjitha objektivat e tjera dhe nuk ka afat përfundimi”, u shpreh Spajiq.

Kryeministri shprehu bindjen se Mali i Zi mund t’i mbyllë dy kapitujt më të vështirë të negociatave deri në fund të vitit, duke hapur rrugën që vendi të bëhet anëtarja e 28-të e Bashkimit Evropian në vitin 2028.

Në fund, Spajiq siguroi se Qeveria do të vazhdojë të mbështesë reformat ligjore dhe institucionale për ndërtimin e një gjyqësori të pavarur, profesional dhe efikas, në interes të qytetarëve dhe perspektivës evropiane të Malit të Zi.

SHARE