Foto: RTNK
Ministri i Financave i Malit të Zi, Novica Vukoviq, deklaroi se modernizimi i sistemit tatimor përbën një investim të rëndësishëm në besueshmërinë dhe konkurrueshmërinë afatgjatë të ekonomisë së vendit, ndërsa procesi i integrimit evropian i jep këtij reformimi rëndësi dhe drejtim të qartë.
Gjatë konferencës së Forumit Global për Transparencën dhe Shkëmbimin e Informacioneve për Qëllime Tatimore, që po mbahet në Kotorr, Vukoviq theksoi se bashkëpunimi ndërkombëtar është bërë i domosdoshëm për përballimin e sfidave tatimore ndërkufitare.
Ai nënvizoi se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të stabilitetit fiskal, përmirësimit të mjedisit të biznesit dhe ndërtimit të institucioneve që përmbushin standardet më të larta ndërkombëtare.
Sipas tij, transparenca tatimore është thelbësore për drejtësinë ekonomike, besimin e qytetarëve dhe menaxhimin e përgjegjshëm të financave publike.
Drejtori i Administratës Tatimore, Sava Laketiq, vlerësoi se organizimi i kësaj konference në Mal të Zi dëshmon përparimin e vendit në modernizimin e sistemit tatimor dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Ndërkohë, drejtuesja e Sekretariatit të Forumit Global, Maria José Garde, përgëzoi Malin e Zi për angazhimin në transparencën tatimore dhe luftën kundër evazionit fiskal.
Konferenca, e cila zgjat tri ditë dhe mbledh përfaqësues nga rreth 90 juridiksione, synon shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për një sistem tatimor më transparent, më efikas dhe më të drejtë.










