Foto: president-ksgov.net
Mali i Zi dhe Republika e Kosovës ndajnë një vizion të përbashkët për të ardhmen evropiane, të mbështetur në vlerat demokratike, sundimin e ligjit dhe respektin e ndërsjellë, deklaroi ministri i Administratës Publike i Malit të Zi, Marash Dukaj.
Dukaj ka nisur vizitën zyrtare në Republikën e Kosovës me një takim me presidenten e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula.
Gjatë një bisede të hapur dhe miqësore, u konfirmuan marrëdhëniet e mira dypalëshe ndërmjet dy shteteve, të bazuara në respektin dhe besimin e ndërsjellë, si dhe në përkushtimin e përbashkët ndaj stabilitetit rajonal, bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë dhe integrimeve evropiane.
Ministri Dukaj theksoi se Mali i Zi u kushton rëndësi të veçantë marrëdhënieve me Republikën e Kosovës, duke nënvizuar nevojën për vazhdimin e dialogut politik, forcimin e lidhjeve institucionale dhe mbështetjen e ndërsjellë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Mali i Zi dhe Republika e Kosovës ndajnë një vizion të përbashkët për të ardhmen evropiane, të bazuar në vlerat demokratike, sundimin e ligjit dhe respektin e ndërsjellë. Jam i bindur se përmes dialogut të hapur dhe marrëdhënieve të partneritetit do të vazhdojmë të kontribuojmë në stabilitetin dhe prosperitetin e të gjithë rajonit”, deklaroi Dukaj.
Gjatë takimit u shqyrtuan edhe mundësitë për avancimin e bashkëpunimit në fushat e reformës së administratës publike, transformimit digjital dhe modernizimit të shërbimeve publike, me theks të veçantë në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira që kontribuojnë në rritjen e efikasitetit dhe transparencës së institucioneve.
Në fund të takimit, ministri Dukaj shprehu bindjen se mandati i presidentes Shiroka-Pula do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike dhe bashkëpunimit rajonal, duke konfirmuar gatishmërinë e Malit të Zi për të vazhduar dialogun konstruktiv dhe partneritetin me Republikën e Kosovës.
Presidentja Shiroka Pula e falënderoi ministrin Dukaj për vizitën dhe urimet, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve të mira dhe të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Presidentja Shiroka Pula theksoi se ruajtja dhe avancimi i marrëdhënieve të mira me Malin e Zi është në interes të të dyja vendeve, ndërsa shprehu gatishmërinë për të mbështetur thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.










