Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupstina Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi do t’u përgjigjet më 29 tetor pyetjeve të deputetëve në seancën e posaçme parlamentare, ku në fokus do të jenë inflacioni, standardi i pensionistëve, marrëdhëniet me vendet fqinje dhe realizimi i projekteve të rëndësishme infrastrukturore.
Deputetët do të kërkojnë sqarime për masat që Qeveria planifikon të ndërmarrë për të frenuar rritjen e çmimeve, pasi inflacioni vjetor në shtator ishte më i lartë se në shumicën e vendeve të rajonit dhe në rreth 90 për qind të vendeve të Bashkimit Evropian.
Një tjetër çështje e rëndësishme do të jetë përkeqësimi i standardit të jetesës së pensionistëve dhe masat që synohen për përmirësimin e gjendjes së tyre ekonomike. Në seancë do të kërkohen gjithashtu informacione për projektin e paralajmëruar të supermarketit shtetëror, si dhe për deklaratat e komisioneres evropiane për zgjerimin, të cilat kanë nxitur reagime në Mal të Zi.
Vëmendje do t’i kushtohet edhe krijimit të një strukture koordinuese për vendosjen e kontrollit kombëtar të trafikut ajror deri në vitet 2030–2031, si dhe lidhjes së këtij procesi me modernizimin e aeroporteve dhe zhvillimin e aviacionit. Ndër projektet infrastrukturore për të cilat do të kërkohen përgjigje janë qendra e skive Hajla–Shtedim, ura mbi Bunë dhe ndërtimi i portit të Limanit në Ulqin.
Deputetët do të kërkojnë sqarime për afatet e realizimit, procedurat e prokurimit dhe sigurimin e fondeve të nevojshme.
Në fokus do të jenë gjithashtu ecuria e negociatave të Malit të Zi me Bashkimin Evropian dhe marrëdhëniet me Kroacinë, si dhe hapat që Qeveria synon të ndërmarrë për forcimin e bashkëpunimit rajonal.










