Foto: Shutterstock
Qeveria e Malit të Zi ka miratuar projektdekretin e ri për regjimin e vizave, i cili përcakton kushtet e hyrjes, tranzitit dhe qëndrimit të shtetasve të huaj në vend.
Rregullat e reja do të fillojnë të zbatohen më 1 nëntor 2026, duke zëvendësuar legjislacionin e deritanishëm.
Sipas vendimit, shtetasit e vendeve të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë, Australisë, Japonisë, Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe të një numri vendesh të tjera, do të mund të hyjnë dhe të qëndrojnë në Mal të Zi deri në 90 ditë pa vizë, me pasaportë të vlefshme.
Shtetasit e Kosovës dhe Shqipërisë, ashtu si ata të vendeve të tjera të rajonit dhe të BE-së, do të mund të hyjnë në Mal të Zi edhe me kartë identiteti të vlefshëm, për qëndrime deri në 30 ditë pa vizë.
Ndërkohë, për shtetasit e vendeve që nuk përfshihen në regjimin pa viza dhe që nuk kanë marrëveshje përkatëse me Malin e Zi, do të kërkohet vizë për hyrje dhe qëndrim.
Rregullorja parashikon gjithashtu që personat që posedojnë vizë të vlefshme Shengen ose vizë të Australisë, Japonisë, Kanadasë, Zelandës së Re, Irlandës, SHBA-së apo Mbretërisë së Bashkuar, mund të qëndrojnë në Mal të Zi deri në 30 ditë, por jo më gjatë se afati i vlefshmërisë së vizës së tyre.
E njëjta mundësi vlen edhe për personat me leje qëndrimi në këto vende. Rregulla të veçanta janë përcaktuar për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare, si dhe për kategori të caktuara të përfaqësuesve ndërkombëtarë.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është se përjashtimet nga detyrimi për vizë nuk do të mund të përcaktohen më përmes vendimeve të veçanta të Qeverisë.
Regjimi i ri i vizave do të zbatohet nga 1 nëntori 2026, ndërsa me hyrjen e tij në zbatim do të shfuqizohet rregullorja e mëparshme.










