KUVENDI I KOSOVËS KËRKON LLOGARIDHËNIE INSTITUCIONALE DHE MASA KUNDËR DHUNËS NË FAMILJE

Me 67 vota për, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë që kërkon hetim parlamentar për përgjegjësinë e institucioneve në rastin e Arlinda Zekajt, 49-vjeçares nga Peja, e cila kishte raportuar vazhdimisht dhunë në familje para se të vritej në Vitomiricë.

Rezoluta kërkon shqyrtimin e mënyrës se si institucionet i trajtuan denoncimet dhe paralajmërimet e viktimës, si dhe rishikimin urgjent, brenda 72 orëve, të rasteve aktive me rrezik të lartë.

Hetimi duhet të përfshijë të gjithë zinxhirin institucional, nga policia dhe prokuroria deri te gjykatat, për të përcaktuar nëse ka pasur neglizhencë në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

Përmes kësaj rezolute, Kuvendi u bën thirrje institucioneve që të reagojnë më seriozisht ndaj çdo denoncimi, të marrin masa konkrete për parandalimin e përshkallëzimit të dhunës dhe të forcojnë mekanizmat e mbrojtjes për viktimat, veçanërisht gratë dhe fëmijët.

Rasti nxiti debat të ashpër në Kuvend, ku opozita kërkoi dorëheqjen e ministrave të Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme.

Të dy ministrat i hodhën poshtë këto kërkesa. Rezoluta synon të rrisë përgjegjësinë institucionale dhe të përmirësojë reagimin ndaj rasteve të dhunës në familje, me qëllim parandalimin e tragjedive të ngjashme.

SHARE