Foto: predsjednik.me
Mali i Zi synon të mbyllë të gjithë kapitujt e mbetur të negociatave me Bashkimin Evropian deri në fund të këtij viti, të nënshkruajë Traktatin e Anëtarësimit deri në verën e vitit 2027 dhe të bëhet anëtar i plotë i BE-së në vitin 2028.
Kështu deklaroi presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, gjatë takimit me eurodeputetët Tomas Vajc dhe Marjan Sharec, ku u diskutuan faza përfundimtare e negociatave, reformat prioritare dhe mbështetja e institucioneve evropiane.
Millatoviq theksoi se Mali i Zi ka një mundësi historike për t’u bërë anëtari i ardhshëm i BE-së, duke nënvizuar rëndësinë e konsensusit politik për integrimin evropian, forcimit të sundimit të ligjit, pavarësisë së gjyqësorit dhe përgjegjshmërisë së institucioneve.
Gjatë takimit u diskutuan edhe çështjet e hapura me Kroacinë, për të cilat Millatoviq vlerësoi se duhet të trajtohen veçmas nga negociatat e anëtarësimit, në mënyrë që të mos pengojnë rrugën evropiane të Malit të Zi.
Ai shtoi se anëtarësimi në BE në vitin 2028 do të ishte një mesazh i rëndësishëm për të gjithë Ballkanin Perëndimor se reformat sjellin rezultate konkrete dhe se perspektiva evropiane mbetet e besueshme.









