Foto: PKCG
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian do t’u sjellë kompanive të Malit të Zi mundësi të reja për eksporte, investime dhe qasje në një treg me afro 450 milionë konsumatorë, por edhe konkurrencë më të fortë.
Ky ishte mesazhi kryesor i panelit të organizuar nga Oda Ekonomike e Malit të Zi dhe Ministria e Çështjeve Evropiane, në kuadër të nismës B4EU për përgatitjen e ekonomisë për anëtarësim.
Presidentja e Odës Ekonomike, Nina Drakiq, dhe ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, theksuan se bizneset duhet të përgatiten me kohë për standardet evropiane, ndryshimet në procedurat doganore dhe regjimin tregtar, përfshirë daljen nga CEFTA pas anëtarësimit.
Ambasadori i BE-së në Mal të Zi, Johan Sattler, nënvizoi se qasja në tregun evropian nuk garanton vetvetiu sukses, ndaj kompanitë duhet të investojnë në cilësi, inovacion dhe konkurrueshmëri.
Përfaqësuesi i Odës Ekonomike të Sllovenisë në Koper, Robert Rakar, këshilloi bizneset malazeze të shfrytëzojnë periudhën deri në anëtarësim për të përmirësuar produktet, digjitalizuar veprimtarinë dhe krijuar partneritete të reja.
Pjesëmarrësit vlerësuan se suksesi ekonomik i anëtarësimit do të varet nga përgatitja e kompanive, mbështetja institucionale dhe aftësia për të shfrytëzuar fondet evropiane.









