Foto: Ilustrim
Mali i Zi dhe Kosova do të përfitojnë 5,4 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian për realizimin e 12 projekteve të bashkëpunimit ndërkufitar, ndërsa vlera e përgjithshme e tyre, përfshirë bashkëfinancimin e përfituesve, tejkalon 6,6 milionë euro.
Ministria e Financave e Malit të Zi njoftoi se fondet janë kontraktuar në kuadër të thirrjes së parë të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Mali i Zi–Kosovë 2021–2027, të financuar përmes Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit të BE-së (IPA III).
Projektet synojnë rritjen e mundësive për punësim të të rinjve dhe kategorive të cenueshme, zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore e natyrore.
Vlera e përgjithshme e 12 projekteve arrin në 6.619.897,89 euro, ndërsa fondet e miratuara për secilin projekt variojnë nga rreth 327 mijë deri në 600 mijë euro. Zbatimi i tyre parashikohet të zgjasë nga 24 deri në 30 muaj.
Sipas Ministrisë së Financave të Malit të Zi, janë kontraktuar 100 për qind e fondeve të parashikuara për thirrjen e parë, duke siguruar financimin për të gjitha projektet e përzgjedhura.
Projektet do të realizohen përmes partneriteteve ndërmjet institucioneve dhe organizatave nga të dyja vendet, me synimin për të forcuar bashkëpunimin ndërkufitar, për të shkëmbyer përvoja dhe për të krijuar mundësi të reja zhvillimi për komunitetet lokale.
Ndër përfituesit kryesorë nga Mali i Zi janë organizata joqeveritare Juventas dhe CAZAS, Shtëpia e të Moshuarve në Bijello Pole, Muzeu i Polimës në Berane, Komuna e Plavës dhe Organizata Turistike e Tivarit.
Autoritetet malazeze vlerësojnë se mbështetja e BE-së do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të zonave ndërkufitare dhe në përmirësimin e mundësive për punësim, turizëm dhe ruajtjen e pasurive natyrore e kulturore.









