RAMA NUK TËRHIQET, PROTESTAT NË SHQIPËRI HYJNË NË JAVËN E DYTË

Protestat kundër Qeverisë së Edi Ramës vazhduan të hënën, më 19 tetor, për të shtatën ditë radhazi, me demonstrata dhe përplasje në Tiranë.

Protestuesit, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe të Qeverisë, hodhën gurë dhe mjete të tjera drejt ndërtesës së Gjykatës së Apelit, duke thyer xhamat e saj.

Më pas, demonstruesit u zhvendosën në pjesë të tjera të kryeqytetit, ku policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për shpërndarjen e turmës.

Ndërkohë, në Lezhë, Vlorë, Elbasan dhe Shkodër, studentë dhe gjimnazistë bojkotuan mësimin dhe marshuan në rrugët e qyteteve.

Përplasjet e një dite më parë, më 18 tetor, u shtrinë në disa zona të Tiranës, ku protestuesit hodhën gurë, mjete piroteknike dhe bomba molotov drejt policisë.

Si pasojë, pati dëmtime në ndërtesa publike, përfshirë Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Komisariatin nr. 3 të Policisë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, deri të dielën në mbrëmje, 28 persona, mes tyre policë, protestues, kalimtarë dhe një përfaqësuese e medias, kishin kërkuar ndihmë mjekësore.

Protestat nisën më 13 tetor, fillimisht për shkak të pakënaqësive të studentëve me sistemin arsimor, kushtet në universitete dhe mungesën e perspektivës ekonomike, por më pas u zgjeruan me kërkesa kundër korrupsionit, kostos së lartë të jetesës dhe mënyrës së qeverisjes.

Kryeministri Edi Rama ka përjashtuar dorëheqjen, ndërsa protestuesit paralajmërojnë vazhdimin e mobilizimit.

SHARE