MILLATOVIQ U BËN THIRRJE DEPUTETËVE TË MBËSHTESIN NDRYSHIMET KUSHTETUESE

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit që të mbështesin ndryshimet e propozuara kushtetuese, duke kontribuar kështu në realizimin e qëllimit kryesor shtetëror, anëtarësimin e plotë të Malit të Zi në Bashkimin Evropian (BE).

„Të gjithë në Mal të Zi jemi të vetëdijshëm se gjërat nuk janë të përsosura, se ekzistojnë çështje të hapura dhe arsye për mosbesim të ndërsjellë mes aktorëve në skenën tonë politike. Por pikërisht në rrethana të tilla dëshmohet përgjegjësia shtetërore. Mali i Zi sot ka mbështetje të fuqishme nga partnerët evropianë për t’u bërë, në një afat sa më të shkurtër, shtet anëtar i Bashkimit Evropian. Nuk duhet ta humbim këtë mundësi për shkak të dallimeve të brendshme politike“, theksoi Millatoviq.

Sipas tij, është veçanërisht e rëndësishme që ndryshimet kushtetuese të mbështeten tani, në mënyrë që të krijohen kushtet për përfundimin e pjesës teknike të negociatave deri në fund të vitit dhe për nisjen e përgatitjeve për nënshkrimin e Traktatit të Anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.

Ai theksoi se koha është një faktor i rëndësishëm, veçanërisht duke pasur parasysh ciklet e ardhshme zgjedhore në shtetet anëtare të BE-së, të cilat mund të ndikojnë në dinamikën e rrugëtimit evropian të Malit të Zi.

Millatoviq vlerësoi se suksesi i Malit të Zi në organizimin e Samitit BE–Ballkani Perëndimor konfirmoi më tej se vendi mund të jetë një partner i besueshëm dhe një aktor i rëndësishëm në integrimin evropian të rajonit.

„Ky aktivitet nuk ishte vetëm një sukses diplomatik, por edhe një mesazh i fuqishëm politik nga liderët evropianë se Mali i Zi bashkon partnerët evropianë dhe kontribuon në të ardhmen tonë të përbashkët evropiane. Prandaj, edhe një herë u bëj thirrje të gjitha grupeve parlamentare që ta kuptojnë rëndësinë e momentit në të cilin ndodhemi. Mali i Zi ka një mundësi historike për t’u bërë anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian. Është në dorën tonë të dëshmojmë se jemi të gatshëm ta shfrytëzojmë këtë mundësi“, u shpreh Millatoviq.

SHARE