Foto: Ministria e Çështjeve Evropiane / Ministarstvo evropskih poslova
Ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, njoftoi se Mali i Zi do të mbyllë sot edhe tre kapituj negociues në konferencën ndërqeveritare në Luksemburg, duke e çuar në 21 numrin e kapitujve të mbyllur në negociatat me Bashkimin Evropian (BE).
Ajo bëri të ditur se shtetet anëtare të BE-së janë pajtuar se Mali i Zi i ka përmbushur kriteret përfundimtare në kapitujt që lidhen me politikën ekonomike dhe monetare, statistikat, si dhe politikën sociale dhe punësimin.
Gorçeviq theksoi se tashmë kanë nisur procedurat për vlerësimin e përmbushjes së kritereve edhe për 10 kapituj të tjerë, të cilët ndodhen para organeve të Këshillit të BE-së, ndërsa pozicionet negociuese për ta janë dorëzuar më herët.
Sipas saj, përpjekjet e të gjitha institucioneve të përfshira në proces janë vlerësuar nga shtetet anëtare, ndërsa Mali i Zi po i afrohet gjithnjë e më shumë realizimit të objektivit të përcaktuar më shumë se dy vjet më parë.
Ajo theksoi se vendi do të vazhdojë me vendosmëri përpjekjet për mbylljen e të gjithë kapitujve deri në fund të këtij viti dhe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian në vitin 2028.









