GJELOSHAJ: INTERESAT PARTIAKË NUK MUND TË JENË MBI TË ARDHMEN EVROPIANE TË MALIT TË ZI

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Asnjë individ, funksion apo interes partiak nuk mund të jetë mbi të ardhmen evropiane të Malit të Zi, ka deklaruar zëvendëskryeministri dhe lideri politik i Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj, duke u bërë thirrje liderëve politikë dhe deputetëve që t’i lënë mënjanë mospajtimet dhe të përqendrohen në përmbushjen e detyrimeve evropiane.

Gjeloshaj rikujtoi se Mali i Zi, me mbylljen e sotme të tre kapitujve të tjerë negociues, arrin në gjithsej 21 kapituj të mbyllur në negociatat me Bashkimin Evropian (BE). Sipas tij, 12 kapitujt e mbetur duhet të mbyllen deri në fund të vitit.

„Ky është një sukses për të cilin duhet të gëzohen të gjithë qytetarët e Malit të Zi, pavarësisht përkatësisë politike“, deklaroi Gjeloshaj.

Ai theksoi se synimi është që qytetarët ta ndiejnë rrugën evropiane në jetën e tyre të përditshme, përmes institucioneve më të sigurta, infrastrukturës më të mirë dhe pagave evropiane nga 1 janari.

„Pikërisht ky ishte premtimi me të cilin Forumi Shqiptar doli para qytetarëve në vitin 2023 – ‘Besa për zhvillimin evropian’“, u shpreh Gjeloshaj.

Sipas tij, Forumi Shqiptar, përmes përfaqësuesve të tij në Qeveri dhe në Kuvend, ka dhënë një kontribut kyç në procesin e integrimit evropian.

„Prandaj, çdo hap i ri drejt BE-së na gëzon dhe na obligon edhe më shumë që ta përfundojmë këtë punë“, tha ai.

Gjeloshaj u bëri sërish thirrje të gjithë liderëve politikë dhe deputetëve që në muajt e ardhshëm ta përqendrojnë të gjithë energjinë në përmbushjen e detyrimeve evropiane.

„T’i lëmë mënjanë mospajtimet dhe t’i përfundojmë së bashku kapitujt negociues. Asnjë individ, asnjë funksion dhe asnjë interes partiak nuk mund të jetë mbi të ardhmen evropiane të Malit të Zi“, deklaroi Gjeloshaj.

SHARE