DHOMA E MJEKËVE: E PAPRANUESHME QË PËRGJEGJËSIA PËR VAKSINIMIN E ULËT T’U NGARKOHET PEDIATËRVE

Foto: Ilustrim

Dhoma e Mjekëve e Malit të Zi ka mbështetur pediatrit që, sipas saj, janë përballur ditët e fundit me presione dhe kritika publike, duke theksuar se është e papranueshme që përgjegjësia për përqindjen e ulët të fëmijëve të vaksinuar t’u atribuohet atyre.

Nga Dhoma theksojnë se vaksinimi duhet të bazohet në dëshmi shkencore dhe udhëzime profesionale, ndërsa prindërit duhet të marrin informacione të qarta dhe të plota për përfitimet, rreziqet dhe kundërindikacionet.

Sipas tyre, pediatrit, veçanërisht ata të kujdesit parësor shëndetësor, duhet të përfshihen në çdo debat publik për vaksinimin, pasi janë ata që çdo ditë këshillojnë prindërit dhe vlerësojnë gjendjen shëndetësore të fëmijëve.

Dhoma e Mjekëve kërkon mbështetje më të madhe institucionale, më shumë personel dhe kohë për këshillim, si dhe kundërshton etiketimet dhe akuzat pa prova ndaj mjekëve, duke paralajmëruar se ato dëmtojnë besimin e qytetarëve në sistemin shëndetësor.

SHARE