Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Deputetët e Kuvendit të Malit të Zi miratuan njëzëri Propozimin për ndryshimin e Kushtetutës së Malit të Zi.
Për ndryshimet, me të cilat parashihet heqja e imunitetit të presidentit dhe anëtarëve të Qeverisë për vepra penale të korrupsionit, votuan të gjithë 66 deputetët e pranishëm.
Propozimi parashikon, ndër të tjera, heqjen e imunitetit për presidentin dhe anëtarët e Qeverisë për vepra penale kundër detyrës zyrtare.
Për miratimin e ndryshimeve ishte e nevojshme një shumicë prej dy të tretash.
Deputetët miratuan gjithashtu njëzëri propozimin e Komisionit Kushtetues që brenda katër ditësh të përcaktohet teksti i Projekt-amendamenteve të Kushtetutës.
Ndërkohë, Zëvendëskryeministri Momo Koprivica theksoi se ky ndryshim ka për qëllim forcimin e përgjegjësisë dhe se asnjë funksion nuk duhet të shërbejë si mburojë nga ligji.
Nga ana tjetër, opozita paralajmëron se me ndryshimet kushtetuese nuk duhet të lihet hapësirë që prokuroria, policia apo trupa të tjerë të vendosin se kush mund të ushtrojë pushtetin.
Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e Forumit Shqiptar, Nikollë Camaj, konfirmoi mbështetjen për këtë iniciativë, duke nëvizuar se funksioni publik ekziston për t’i shërbyer interesit të qytetarëve dhe se përgjegjësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë.
Mbështetje për nisjen e procedurës kushtetuese dhanë edhe përfaqësuesit e Aleancës Evropiane, Partisë Boshnjake, si dhe deputetët e PDS-së dhe Lëvizjes Qytetare URA, duke theksuar se zyrtarët e ndershëm nuk kanë asnjë arsye t’i frikësohen heqjes së imunitetit.
Çështja e ndryshimeve kushtetuese kërkon një procedurë të ndërlikuar votimi në tri faza, me ç’rast hapi i sotëm përfaqëson vetëm fillimin e procesit drejt ndryshimit të aktit më të lartë juridik të vendit.
Seanca e sotme e Kuvendit ka nisur me një minutë heshtje në nderim të viktimave të ngjarjes tragjike në Danillovgrad.










