Postin e ushtruesit të detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, do t’ia dorëzojë kryetarit të ri të Kuvendit që do të zgjidhet nga legjislatura e njëmbëdhjetë. Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, nga Presidenca e Kosovës thanë se vendi nuk mund të mbetet pa ushtrues detyre të presidentit. “Me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, kushdo qoftë ai apo ajo, ushtrimi i detyrës së presidentit kalon te kryetari i ri i Kuvendit, deri në zgjedhjen e presidentit të Republikës”, tha Presidenca në një përgjigje për REL-in. Legjislatura e re, e dalë nga zgjedhjet e qershorit, ende nuk është konstituuar. Seanca konstituive, që nisi më 6 gusht, nuk është përmbyllur, pasi Lëvizja Vetëvendosje kërkon që fillimisht të ketë pajtim për zgjedhjen e presidentit të vendit. Haxhiu ushtron detyrën e presidentit që nga 4 prilli, si kryetare e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit, pas përfundimit të mandatit pesëvjeçar në krye të shtetit të Vjosa Osmanit. Sipas Kushtetutës së Kosovës, posti i ushtruesit të detyrës së presidentit nuk mund të ushtrohet më gjatë se gjashtë muaj. Në rastin e Haxhiut, ajo mund ta ushtrojë këtë post deri më 4 tetor. Nga Presidenca e Kosovës e lanë të hapur mundësinë që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për sqarim, nëse deri më 4 tetor deputetët nuk zgjedhin një president të ri të shtetit. “Në këtë fazë nuk do të paragjykonim nëse do të paraqitet nevoja për një procedurë të tillë”, thuhet në përgjigjen e Presidencës. Megjithatë, sipas këtij institucioni, aktualisht fokusi duhet të jetë te zgjedhja e një presidenti me mandat të plotë.









