Katërmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me kërkesë që të ndërmarrë veprime lidhur me zbatimin e Aktgjykimit që përcakton afatin për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Organizatat, të udhëhequra nga AVONET, kërkojnë nga Gjykata të vlerësojë nëse aktgjykimi i saj është zbatuar në përputhje me përcaktimet dhe afatet e tij, pas dështimit të Kuvendit që të përfundojë procesin e konstituimit brenda afatit kushtetues. Rrezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit u certifikuan më 8 korrik, ndërsa afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht.
Në këtë rast, seanca konstituive e Kuvendit u hap më 6 gusht, por nuk përfundoi me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Vazhdimi i seancës ishte caktuar për 8 gusht, pra pas përfundimit të afatit 30-ditor.
Pikërisht për këtë arsye, AVONET dhe 13 organizatat e tjera kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë nëse Aktgjykimi përkatës është zbatuar në mënyrë të rregullt.
“Qëllimi është të sigurohet qartësi juridike dhe institucionale lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit dhe respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e publikuar.
Partia Demokratike e Kosovës ka insistuar se procesi i konstituimit duhet të përfundojë pa vonesa të mëtejshme, duke argumentuar se obligimi kushtetues vazhdon të jetë në fuqi edhe pas skadimit të afatit 30-ditor. Ajo ka kërkuar që seanca të vazhdojë dhe ka paralajmëruar veprime ligjore, politike dhe demokratike.
Lidhja Demokratike e Kosovës po ashtu ka insistuar në respektimin e afateve dhe procedurave kushtetuese, ndërsa ka zhvilluar disa takime me Lëvizjen Vetëvendosje për të gjetur një marrëveshje.
Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka mbështetur nevojën për një marrëveshje politike para vazhdimit të procesit. Kryetari i saj, Albin Kurti, ka kërkuar kohë për konsultime me partitë, veçanërisht për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm.
Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar vazhdimisht respektimin e afateve kushtetuese dhe ka fajësuar Vetëvendosjen për bllokimin e procesit, ndërsa ka refuzuar takimet e propozuara nga Kurti.








