Ministria e Mbrojtjes raporton 25 vatra zjarri në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit, nga të cilat 9 mbeten aktive. Në operacione janë angazhuar 41 automjete zjarrfikëse, 395 forca operacionale, 167 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Zjarret aktive vijojnë në Dajt, Priskë të Madhe, Drenie të Patosit, Krujë, Nëmerçkë, malin Dhëmbel, Gurë-Lurë dhe malin e Moravës. Në shumicën e zonave nuk raportohet rrezik për banesat, ndërsa në Gurë-Lurë forcat janë pozicionuar pranë banesave për të garantuar mbrojtjen e komunitetit.
Operacionet do të vijojnë me forca tokësore dhe ajrore të shtuara, me prioritet mbrojtjen e banorëve, kufizimin e përhapjes së flakëve dhe shuarjen e plotë të vatrave aktive.








