Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministria e Punëve të Brendshme e Malit të Zi ka njoftuar se, në kuadër të fushatës kombëtare “Jeto, mos nxito”, Policia do të zhvillojë kontrolle të shtuara në rrugët e vendit gjatë fundjavës, nga 7 deri më 9 gusht 2026, me synim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe parandalimin e aksidenteve me pasoja të rënda.
Duke pasur parasysh fluksin e shtuar të automjeteve drejt bregdetit, veriut të Malit të Zi dhe qendrave turistike, autoritetet do të angazhojnë patrulla shtesë të policisë rrugore dhe motoçiklistëve, Njësinë Mobile të Policisë për Sigurinë në Komunikacion, si dhe do të përdorin dronë për mbikëqyrjen nga ajri dhe mjete të tjera policore.
Gjatë kontrolleve, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet tejkalimit të shpejtësisë, drejtimit të automjetit nën ndikimin e alkoolit ose substancave psikoaktive, parakalimeve të rrezikshme, rrezikimit të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion, mosvendosjes së rripit të sigurimit, përdorimit të telefonit celular gjatë drejtimit të automjetit, si dhe shkeljeve të tjera që paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë për jetën dhe shëndetin.
Autoritetet kanë bërë të ditur se fokus i veçantë do t’i kushtohet edhe sigurisë së motoçiklistëve, për shkak të numrit më të madh të tyre në rrugët e Malit të Zi gjatë sezonit turistik veror.
Sipas MPB-së, këto aktivitete do të zhvillohen edhe në kuadër të zbatimit të kuadrit të ri ligjor për sigurinë në komunikacion, me synimin për të rritur përgjegjësinë e të gjithë pjesëmarrësve në trafik dhe për të ulur numrin e aksidenteve rrugore dhe pasojat e tyre më të rënda.
Në zonën e Komunës së Tuzit, kontrollet e shtuara do të zhvillohen në rrugët magjistrale dhe rajonale që çojnë drejt Podgoricës. Policia ka bërë të ditur se angazhimi i patrullave do të përshtatet sipas intensitetit të qarkullimit dhe situatës së sigurisë në komunikacion, me qëllim garantimin e një lëvizjeje sa më të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.










