Gjermania ka përsëritur edhe një herë kërkesën ndaj shteteve të tjera anëtarë të BE-së që të përshpejtohet me procesin e zgjerimit në BE.
Apeli erdhi këtë radhë nga kancelari Merz gjatë vizitës në Irlandë, vend që mban presidencën e BE-së.
“Është mirë që do të kemi një diskutim strategjik mbi hapat e ardhshëm për zgjerimin në Këshillin Evropian në muajin tetor. Ne kemi krijuar një moment pozitiv këtu ndaj kemi nevojë për përparim konkret në këtë proces. Duhet që të ecim përpara me pranimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ky proces kërkon vendimarrje me unanimitet, por mendoj se do të jem në gjendje t’i bind edhe kolegët e mi se tani duhet ta çojmë përpara këtë proces zgjerimi. Kjo është arsyeja pse unë dhe Emmanuel Macron kemi paraqitur propozime të përbashkëta”, tha Merz.
Merz mendon ndryshe nga Kroacia kur bëhet fjalë për Malin e Zi.
“Nuk duhet që ta lëmë Malin e Zi në pritje duke e trajtuar atë si pjesë të një pakete me shtetet e tjera kandidate. Ky shtet duhet të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian deri në fund të kësaj dekade. Mali i Zi i ka përmbushur kryesisht të gjitha kërkesat. Ne nuk kemi pranuar asnjë anëtar të ri në Bashkimin Evropian për 13 vite. Ne gjithmonë kemi thënë se Bashkimi Evropian është i hapur për shtetet evropiane që plotësojnë kushtet, kriteret e Kopenhagenit ndaj duhet që ta mbajmë fjalën. Nuk mund ta lëmë Malin e Zi në pritje vetëm sepse vendet e tjera nuk janë ende gati”, tha Merz.
Edhe kryeministri irlandez ishte i një mendje me kancelarin gjerman për të ecur përpara në zgjerimin e BE-së.









