KURTI: PËRGJEGJËSIA PËR FORMIMIN E INSTITUCIONEVE U TAKON TË GJITHËVE

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ka thënë se përgjegjësia për formimin e institucioneve të reja u takon të gjitha partive politike.

“Partitë politike, secila sipas hises që populli i ka dhënë, gjendemi sërish para përgjegjësisë për përmbushjen e detyrave për formimin e institucioneve të reja, përfshirë zgjedhjen e presidentit ose presidentes”, tha ai.

Kurti tha se e ka mirëpritur vendimin e ushtrueses së detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, për caktimin e 6 gushtit si datë të seancës konstituive.

“Kemi dy javë më së shumti deri në fillimin e seancës për konstituimin e Kuvendit, para se të kalojmë te zgjedhja e Qeverisë së re dhe më pas te zgjedhja e presidentit ose presidentes. Për legjislaturën e re, siç e dimë, nevojitet shumica e thjeshtë, ndërsa për presidentin ose presidenten, në dy raundet e para, për shkak të një aktgjykimi të Kushtetueses, kërkohet prania e dy të tretave të deputetëve. Andaj, edhe përgjegjësia për zgjedhjen e tij ose të saj e tejkalon një parti politike”, ka deklaruar Kurti.

“Në këtë frymë, saktësisht dy javë më parë, më 10 korrik, zhvillova takime konsultative me krerët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndërkaq, sërish shprehim keqardhje që Aleanca nuk e pranoi ftesën. Teksa koha ecën, veprimet politike dhe interesi shtetëror duhet të vihen në rend të parë”, ka potencuar Kurti.

SHARE