Ritmi i rritjes së numrit të turistëve në Shqipëri është ngadalësuar gjatë muajit qershor, duke shënuar një rritje të lehtë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë muajit qershor në Shqipëri hynë 1 milion e 346 mijë e 279 shtetas të huaj, ndërsa në të njëjtin muaj të vitit 2025 ishin regjistruar 1 milion e 329 mijë e 204 hyrje.
Rritja vjetore ishte vetëm 17 mijë e 75 persona, ose rreth 1.3 për qind më shumë turistë, duke treguar një ngadalësim të fluksit në muajt e parë të kulmit të sezonit turistik.
Ekspertët e turizmit bëjnë të ditur se gjatë kësaj periudhe janë regjistruar anulime nga disa tregje të rëndësishme, veçanërisht nga vendet evropiane.
“Patëm anulime nga disa shtete si Serbia, Gjermania, sidomos edhe nga Evropa, të cilat janë tregje kryesore për turizmin shqiptar”, është shprehur një përfaqësues i sektorit.
Sipas Ministrisë së Turizmit, disa nga tregjet tradicionale kanë shënuar rënie krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.
Hyrjet nga Kosova kanë rënë me rreth 52 mijë persona, ndërsa ulje janë regjistruar edhe nga Maqedonia e Veriut me 15 mijë e 223 vizitorë më pak, Gjermania me 13 mijë e 165 më pak, Turqia me 11 mijë e 62 më pak dhe Mali i Zi me 6 mijë e 212 vizitorë më pak.
Pavarësisht rënies në disa tregje, Evropa Jugore vazhdon të mbetet burimi kryesor i turistëve që vizitojnë Shqipërinë, duke përbërë rreth 66 për qind të hyrjeve nga Evropa, ndërsa Evropa Qendrore dhe Lindore kontribuon me rreth 14 për qind.
Të dhënat tregojnë se shumica dërrmuese e hyrjeve të shtetasve të huaj, rreth 98 për qind, janë për qëllime personale, ndërsa udhëtimet për arsye biznesi dhe profesionale kanë shënuar rënie të mëtejshme gjatë muajit qershor.
Sipas Ministrisë së Turizmit, turistët besnikë vazhdojnë të zgjedhin Shqipërinë si destinacion pushimesh, duke preferuar kryesisht zonat bregdetare gjatë kësaj periudhe, por një pjesë e tyre po orientohen edhe drejt zonave malore, si Thethi, i cili mbetet një nga destinacionet më të kërkuara.
Ministria ka theksuar gjithashtu se perceptimi për sigurinë në vend ka ndikuar në zhvillimet e fundit në turizëm.
Sipas institucionit, protestat, tensionet publike dhe imazhi negativ i transmetuar jashtë vendit kanë ndikuar në vendimmarrjen e disa turistëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.









