SHQIPËRIA E PARA NË BALLKANIN PERËNDIMOR PËR PERFORMANCËN MJEDISORE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri të ditur se Shqipëria është renditur e para në Ballkanin Perëndimor për performancën mjedisore, sipas indeksit prestigjioz global Environmental Performance Index 2026.

Sipas raportit, Shqipëria renditet në vendin e 46-të nga 177 shtete në botë dhe ka shënuar progresin më të madh në rajon gjatë dhjetë viteve të fundit. Ndërkohë, për zbutjen e ndryshimeve klimatike, vendi pozicionohet në vendin e 21-të në nivel botëror.

Në një videomesazh, Rama theksoi se këto rezultate janë vlerësime të institucioneve ndërkombëtare dhe akademike, të cilat matin performancën mjedisore të vendeve sipas një metodologjie të unifikuar.

Ai tha se raporti dëshmon ndryshimin që ka pësuar Shqipëria në mbrojtjen e natyrës, duke kujtuar se vite më parë vendi përballej me prerje masive të pyjeve, gjueti të paligjshme dhe ndotje të lumenjve.

Kryeministri komentoi edhe protestat e fundit për mbrojtjen e mjedisit, duke i cilësuar ato si një tregues të rritjes së ndërgjegjësimit qytetar. Sipas tij, pavarësisht debateve dhe instrumentalizimit politik, fakti që shumë qytetarë angazhohen për mbrojtjen e lagunave, pyjeve dhe biodiversitetit është një shenjë e zhvillimit të shoqërisë shqiptare.

Rama pranoi se qeveria nuk ka bërë gjithçka në mënyrë të përkryer dhe se mbeten ende gabime për t’u korrigjuar, si edhe shumë punë për t’u bërë.

Ai theksoi se raporti nuk duhet parë si një arsye për vetëkënaqësi, por si një përgjegjësi për të dëgjuar më shumë, për të korrigjuar gabimet kur është e nevojshme dhe për të ruajtur ekuilibrin mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit.

Në fund, Rama nënvizoi se reflektimi mbi çështjet e ngritura nga protestat e fundit është i domosdoshëm dhe premtoi se së shpejti qeveria do të prezantojë qëndrimin e saj lidhur me këto shqetësime.

SHARE