Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Administratës Publike i Malit të Zi, Marash Dukaj, dhe ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike i Kosovës, Lulëzon Jagxhiu, nënshkruan në Prishtinë Marrëveshjen për njohjen reciproke të shërbimeve të kualifikuara elektronike të besimit dhe skemave të identifikimit elektronik.
Marrëveshja heq pengesat digjitale mes dy shteteve dhe garanton që nënshkrimi elektronik dhe vula elektronike të kenë të njëjtën fuqi juridike në të dy vendet. Kjo do t’u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve të Malit të Zi dhe Kosovës të kryejnë procedura dhe transaksione pa barriera administrative, ndërsa administratat publike do të zhvillojnë shërbime të përbashkëta elektronike ndërkufitare.
Ministri Dukaj e cilësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm drejt integrimit evropian, duke theksuar se “Mali i Zi dhe Kosova po fshijnë kufijtë digjitalë dhe po dëshmojnë se Ballkani Perëndimor mund të bashkëpunojë sipas standardeve më të avancuara evropiane”.
Nga ana tjetër, ministri Jagxhiu tha se marrëveshja forcon transformimin digjital të Kosovës dhe marrëdhëniet dypalëshe me Malin e Zi.
Pas nënshkrimit, ekipet teknike të të dy ministrive do të nisin zbatimin e sistemit për ta bërë marrëveshjen plotësisht funksionale.










