Shtetet e Bashkuara bënë të ditur se fillimi i Dialogut Strategjik me Kosovën do të varet nga krijimi i kushteve të nevojshme, duke përfshirë këtu vëmendjen ndaj komunitetit serb.
Në një përgjigje për REL, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit rikujtoi se Dialogu Strategjik me Kosovën u pezullua në shtator të vitit 2025, për një periudhë të pacaktuar, pikërisht për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë.
“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Presim me padurim të zhvillojmë një Dialog Strategjik me Kosovën kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Prishtinës zyrtare ndaj serbëve të Kosovës”, thuhet në deklaratën e DASH.
Departamenti i Shtetit nuk dha një afat konkret se kur mund të rifillojë Dialogu Strategjik dhe as nuk specifikoi hapat që pret të ndërmarrin autoritetet e Kosovës. Deklarata erdhi në të njëjtën kohë kur Uashingtoni zhvilloi raundin e parë të Dialogut Strategjik me Serbinë, një mekanizëm që synon forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat e sigurisë, ekonomisë dhe politikës së jashtme. “Shtetet e Bashkuara dhe Serbia do të punojnë për arritjen e objektivave të përbashkëta, përfshirë paqen dhe stabilitetin rajonal, zgjerimin e bashkëpunimit në biznes dhe arsim, si dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të begatë”, tha zëdhënësi i DASH.
Ambasada e SHBA-së në Prishtinë e njoftoi shtatorin e vitit të kaluar pezullimin e Dialogut Strategjik, vendim ky që u justifikua me shqetësimet e lidhura me veprimet e Qeverisë në detyrë, të cilat, sipas Uashingtonit, kishin rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar mundësinë për bashkëpunim produktiv në prioritetet e përbashkëta. Vendimi erdhi pas aksioneve të autoriteteve të Kosovës kundër institucioneve serbe që funksiononin në territorin e vendit.









