ODA AMERIKANE KËRKON KTHESË NË POLITIKËN ENERGJETIKE TË KOSOVËS

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u bëri thirrje institucioneve të reja në vend, të cilat janë në proces të formimit, që ta trajtojnë me prioritet përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën rajonale të gazit të lëngshëm natyror amerikan (LNG).

Në një komunikatë dërguar mediave, Oda Amerikane vlerëson se Kosova ndodhet në “një moment vendimtar” për të ardhmen e sektorit energjetik, duke theksuar se vendimet që do të merren në muajt dhe vitet në vijim, do të ndikojnë në sigurinë energjetike, konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe aftësinë e vendit për t’iu përgjigjur nevojave të një ekonomie në zhvillim.

Sipas saj, diskutimi për politikat energjetike nuk duhet të kufizohet vetëm te kostot fillestare të investimeve, por duhet të marrë parasysh edhe “shpejtësinë e realizimit të projekteve, sigurinë e furnizimit, mundësinë e sigurimit të financimit, ndikimin në konkurrueshmërinë e ekonomisë, fleksibilitetin e sistemit elektroenergjetik dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të investimeve”.

Oda Amerikane thekson se, për një vend që vazhdon të mbështetet në kapacitete të vjetruara prodhuese dhe importe të konsiderueshme të energjisë elektrike, koha e ndërtimit të kapaciteteve të reja është faktor strategjik.

“Çdo vit vonesë në krijimin e kapaciteteve të reja vendore nënkupton ekspozim të vazhdueshëm ndaj paqëndrueshmërisë së tregjeve rajonale, kostove të larta të importit dhe pasigurisë së furnizimit”, thuhet në komunikatë.

SHARE