MILLATOVIQ: BREZI YNË KA DETYRË TË NDËRTOJË NJË MAL TË ZI MË TË DREJTË DHE TA ÇOJË DREJT BE-së

Foto: predsjednik.me

Në fjalimin e mbajtur me rastin e 13 Korrikut – Ditës së Shtetësisë së Malit të Zi, presidenti Jakov Millatoviq theksoi se liria dhe shtetësia duhet të dëshmohen çdo ditë përmes ndërtimit të një shteti më të drejtë, më funksional dhe me institucione në shërbim të qytetarëve.

Millatoviq kujtoi se 13 Korriku simbolizon dy ngjarje themelore të historisë së Malit të Zi,  njohjen ndërkombëtare të shtetit në vitin 1878 dhe Kryengritjen Antifashiste të vitit 1941, ndërsa rikujtoi edhe pavarësinë e rikthyer në vitin 2006. Ai vlerësoi se, pavarësisht arritjeve historike, vendi ende nuk i ka realizuar plotësisht pritshmëritë e qytetarëve për drejtësi, barazi dhe mirëqenie.

Presidenti nënvizoi se shteti ndërtohet nga njerëzit që çdo ditë i shërbejnë shoqërisë, duke veçuar punonjësit shëndetësorë, mësuesit, zjarrfikësit, policinë, gjyqtarët, përfaqësuesit e pushtetit lokal dhe të gjithë ata që kontribuojnë për të mirën publike.

Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua të rinjve, për të cilët Milatoviq tha se shteti ka detyrim t’u krijojë kushte që të arsimohen, të punojnë, të krijojnë familje dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Mal të Zi.

Duke folur për integrimin evropian, ai theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është vetëm një objektiv politik, por vazhdimësi e orientimit historik të Malit të Zi drejt lirisë, demokracisë dhe vlerave evropiane. Sipas tij, rruga drejt BE-së duhet të reflektohet në përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve, përmes institucioneve efikase, sundimit të ligjit, arsimit cilësor dhe shëndetësisë funksionale.

Në ceremoni morën pjesë edhe presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, si dhe komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, të cilët Millatoviq i falënderoi për mbështetjen ndaj rrugës evropiane të Malit të Zi.

Në fund, presidenti i Malit të Zi u shpreh se sfida më e madhe e brezit të sotëm është të ndërtojë një Mal të Zi më të drejtë, më të fortë dhe më dinjitoz, duke lënë pas një shtet ku të rinjtë shohin të ardhmen e tyre dhe ku puna, ndershmëria dhe dija vlerësohen mbi çdo interes tjetër.

SHARE