Gjykata Supreme në Kosovë ka rrëzuar të pesë ankesat lidhur me rezultatin e zgjedhjeve, duke i hapur rrugë, certifikimit të rezultatit dhe formimit të institucioneve.
Si të pabazuara e ka cilësuar ankesën e Listës Serbe lidhur me pretendimin se Nenad Rashiqi ka fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës me votat e shqiptarëve.
Ankesa u refuzuar pasi Lista Serbe “nuk ka mundur të vërtetoj se votat për komunitetin Serb janë të manipuluara dhe të orkestruara, por se theksimet e saj në ankesë janë vetëm deklarime dhe të pa argumentuara”.
Supremja i ka rrëzuar edhe dy ankesat e Nova Demokratsa Stranka, me atë të së cilave pretendohej për manipulim me votat e komunitetit boshnjak.
Gjykata Supreme po ashtu ka rrëzuar dy ankesat e kandidatëve për deputetë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiut dhe Qëndrim Kryeziut të cilët kërkonin rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të kësaj partie, me arsyetimin se ka manipulim.
Vendimet e Supremes i kanë hapur rrugë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit.
Kësisoj ky institucion të mërkurën e 8 korrikut do të mbajë mbledhjen e radhës ku do të certifikojë rezultatin.
Pas certifikimit, në periudhën brenda nja muaji duhet të konstituohet Kuvendi i Kosovës, e pastaj të vazhdohet me formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.
Sipas rezultatit zgjedhor Lëvizja Vetëvendosja është partia e parë me 53 mandate e përcjellë nga PDK-ja me 22, LDK-ja me 18 dhe Aleanca me 7.









