Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, deklaroi se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe konstituimit të Kuvendit, institucionet duhet të vazhdojnë me formimin e qeverisë dhe më pas me zgjedhjen e presidentit të ri, në përputhje me afatet kushtetuese.
Ajo sqaroi se seanca konstituive e Kuvendit duhet të thirret brenda 30 ditëve pas certifikimit të rezultateve, ndërsa sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi ka afat 60 ditë për zgjedhjen e presidentit.
Haxhiu theksoi se prioritet fillimisht është konstituimi i Kuvendit dhe votimi i qeverisë, por paralelisht duhet të zhvillohen konsultime politike për gjetjen e një kandidati konsensual për president, i cili sipas saj do të ishte më mirë të mos vijë nga partitë politike.
Ajo tha se ekzistojnë votat e nevojshme për formimin e qeverisë, duke theksuar se partnerët aktualë kanë shprehur gatishmërinë për të mbështetur një qeveri të udhëhequr nga Albin Kurti.
Sipas saj, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit do të caktohet mandatari për kryeministër dhe do të vazhdohet me procedurat për formimin e ekzekutivit.
Haxhiu u bëri thirrje partive opozitare të heqin dorë nga bllokadat dhe bojkotet institucionale, duke vlerësuar se qytetarët i kanë ndëshkuar këto praktika në zgjedhjet e fundit.
Ajo theksoi se Kosova ka nevojë për institucione stabile dhe funksionale për të përballuar sfidat e brendshme dhe të jashtme, si dhe për të realizuar reformat e premtuara.
E pyetur nëse do të jetë sërish kandidate për kryetare të Kuvendit, Haxhiu tha se për këtë vendim do të vendosë Lëvizja Vetëvendosje, duke kujtuar se subjektit që ka fituar më shumë vota i takon të propozojë kandidatin për drejtimin e Kuvendit.









