Në ditën e 24-t të protestës qytetare në Shqipëri, protestuesit marshuan para Kryeministrisë, ndërsa një nga përfaqësuesit e tyre përsëriti kërkesat kryesore të lëvizjes, duke përfshirë dorëheqjen e kryeministrit dhe qeverisë, krijimin e një qeverie teknike tranzitore dhe reforma të thella kushtetuese e zgjedhore.
Në deklaratën publike drejtuar qytetarëve dhe mbështetësve, ai renditi një sërë kërkesash, duke theksuar se protesta është paqësore dhe mbarëpopullore dhe kërkon:
- Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të gjithë qeverisë.
- Krijimin e një qeverie teknike tranzitore për jo më pak se 12 muaj.
- Ndryshime kushtetuese dhe miratimin e tyre me referendum, ku përfshihet ndryshimi i Kodit Zgjedhor, që sipas tij ka marrë peng vendin që prej vitit 2008.
- Ndryshime në ligjin për financimin e partive politike, pasi sipas deklaruesit, përmes tij financohen nga paraja e krimit dhe drogës.
- Kufizimi i ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate.
Po ashtu, ai rikujtoi edhe kërkesat e mëparshme, si anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e “Paktit të Maleve” dhe statusit të investitorit strategjik.
Sipas tij, këto përbëjnë “kontratën e re sociale” mes qytetarëve dhe shtetit, ndërsa theksoi se çdo veprim i mëtejshëm do të vendoset pas diskutimeve me qytetarët, duke nënvizuar vijimin e protestës paqësore, demokratike dhe qytetare deri në përmbushjen e kërkesave.
Në Shqipëri po vazhdon dita e 24-të e protestës qytetare, ku protestuesit kanë marshuar para Kryeministrisë.









