Këshilli Evropian po vazhdon sot samitin dyditor që nisi të enjten në Bruksel, ku çështja e Ballkanit Perëndimor figuron si pika e 13-të në rendin e ditës.
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, në letrën e ftesës drejtuar liderëve të Bashkimit Evropian ka përmendur samitin e fundit BE–Ballkani Perëndimor të mbajtur në Tivat, duke theksuar se procesi i zgjerimit po hyn në një fazë të re dhe më dinamike.
Sipas Costës, ekziston një “moment i ri” dhe një “hov i ripërtërirë” në procesin e zgjerimit të BE-së.
Bashkimi Evropian pritet që në vjeshtën e këtij viti të zhvillojë një diskutim strategjik mbi zgjerimin dhe reformat, gjë që do të konfirmohet edhe në dokumentin përfundimtar të samitit të liderëve të unionit në Bruksel.
Në draft-konkluzionet e takimit, të cilat janë parë nga Radio Evropa e Lirë, thuhet se në tetor 2026 do të mbahet një debat strategjik mbi zgjerimin dhe reformat, duke rikujtuar edhe Deklarata e Greenlandës.
Diskutimi i ardhshëm pritet të fokusohet në një qasje të re ndaj zgjerimit, e cila ende nuk është formalizuar, por tashmë po përmendet në disa dokumente të publikuara së fundmi nga institucionet evropiane.
Një nga propozimet e para është paraqitur nga Friedrich Merz në fund të majit përmes një dokumenti joformal (non-paper) drejtuar institucioneve evropiane. Në të propozohet që vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin statusin e vëzhguesit në Bashkimin Evropian, ndërsa Ukraina të fitojë statusin e anëtarit të asociuar pa të drejtë vote.
Ky propozim shihet si pjesë e përpjekjeve për të afruar më shpejt vendet kandidate me institucionet evropiane, pa pritur përfundimin e plotë të procesit të anëtarësimit.









