Parlamenti Europian ka miratuar në seancën e sotme rezolutën mbi raportin për Shqipërinë për vitin 2025, me 483 vota pro, duke sinjalizuar mbështetje të qartë politike për procesin e integrimit europian të vendit.
Raporti, i hartuar nga raportuesi për Shqipërinë Andreas Schieder, ishte diskutuar më herët në Komisionin për Punët e Jashtme, ku kishte marrë 58 vota pro, 7 kundër dhe po aq abstenime.
Në debat, Schieder dhe Komisionerja për Zgjerim Marta Kos vlerësuan progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian, duke theksuar se objektivi për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 mbetet i arritshëm nëse vijon ritmi aktual i reformave.
Rezoluta e Parlamentit Evropian vlerëson progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit, por kërkon reforma më të thella në drejtësi, forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe përmirësimin e procesit zgjedhor.
Eurodeputetët shprehën shqetësim për polarizimin politik, akuzat për blerje votash dhe keqpërdorimin e burimeve shtetërore gjatë zgjedhjeve.
Ndërkohë, u rrëzua amendamenti që lidhej me projektet turistike në Sazan dhe Vjosë–Nartë, por rezoluta e miratuar shpreh shqetësim për zhvillimet në zonat e mbrojtura natyrore dhe u kërkon autoriteteve shqiptare të vendosin moratorium për lejet dhe ndërtimet e reja derisa të garantohet përputhja e plotë me standardet e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e mjedisit.









