Panairi i Librit “Prishtina 2026” ka hapur dyert të mërkurën në Prishtinë dhe do të qëndrojë i hapur deri më 21 qershor, duke sjellë së bashku botues, autorë dhe lexues nga Kosova dhe rajoni.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha se organizimi i panairit ka rëndësi të veçantë për promovimin e kulturës së leximit.
“Kjo punë ka rëndësi të veçantë. Sepse çdo vend që e vendos librin në hapësirën publike, qoftë edhe për disa ditë, mban gjallë një pjesë të fjalës së shkruar. Por mirënjohja për këtë punë të madhe nuk na liron nga përgjegjësia për ta parë gjendjen në sy. Duhet të flasim edhe për vendin që libri nuk po e zë në jetën tonë të përditshme”, tha ajo.
Haxhiu tha se leximi është një nga mënyrat e para si njeriu mëson të kuptojë botën dhe veten.
“Një fëmijë që lexon me vëmendje, mëson ta ndjekë mendimin deri në fund dhe ta dallojë të vërtetën. Mëson të bëjë pyetje, të krahasojë, të mos ngutet për përfundim. Mëson se jo çdo fjalë që tingëllon e sigurt është e vërtetë. Një qytetar që lexon e kupton më mirë lajmin, e kupton më mirë ligjin, premtimin politik, kontratën, historinë, dokumentin zyrtar dhe të drejtën e vet. Ai apo ajo ka më shumë mundësi të mendojë me kokën e vet, të kuptojë atë që i thuhet dhe të mos mbetet i varur nga të tjerët. Leximi po përballet me rënien e vëmendjes nga shpërqendrimi i ekranit e me një ritëm jete që të gjithë ne pa përjashtim po përjetojmë. Por fakti që kjo po ndodh edhe diku tjetër, nuk e bën çështjen më pak të rëndësishme për ne. Përkundrazi. Na tregon se duhet të veprojmë me forcë, por edhe me mençuri. Jo duke e fajësuar njëri-tjetrin, por duke e pranuar se leximi kërkon ndërgjegjësi të përbashkët, por po ashtu edhe punë të koordinuar”, tha ajo.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se çdo libër i blerë sot nuk është vetëm një investim për një individ, por një investim për një shoqëri më të lirë, më të arsimuar dhe më të fortë.
Përfaqësuesi i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, kërkoi mbështetje më të madhe institucionale për infrastrukturën kulturore dhe organizimin e panaireve.









