Gratë shqiptare / Vahida Gjoni

Vahida është profesoreshë e letërsisë shqipe në Shkollën e Mesme të Përzier “Vllazërim-Bashkim” në Ulqin, e cila prej vitesh është e përkushtuar ndaj edukimit të brezave të rinj dhe kultivimit të dashurisë për gjuhën dhe letërsinë shqipe. Përmes punës së saj në arsim, ajo synon që nxënësit të mos e shohin librin vetëm si pjesë të detyrimeve shkollore, por si një burim njohurish, frymëzimi dhe zhvillimi personal.Me vetëdijen se dinamika e jetës moderne dhe ndikimi i teknologjisë kanë ndryshuar zakonet e leximit, ajo vazhdon të punojë për t’i afruar të rinjtë me botën e librit. Në këtë drejtim, në shkollë është krijuar edhe “Këndi i Leximit”, një hapësirë e veçantë e menduar për të nxitur nxënësit që të lexojnë sa më shumë dhe të paktën një herë në muaj t’i kushtojnë kohë një libri. Sipas saj, sot ndoshta nuk mund të pretendohet të kemi lexues masivë si dikur, por është inkurajuese dhe shumë e rëndësishme që ende ka të rinj të cilët tregojnë interes për leximin, marrin pjesë në aktivitete letrare dhe e shohin librin si një shoqërues të rëndësishëm në formimin e tyre.Përveç mësimdhënies, Vahida Gjoni është e angazhuar edhe në organizimin e aktiviteteve kulturore, takimeve me autorë dhe personalitete të ndryshme nga fusha e artit, kulturës dhe shkencës, duke besuar se këto përvoja e pasurojnë botëkuptimin e nxënësve dhe i ndihmojnë ata të zhvillojnë mendimin kritik. Përmes punës dhe përkushtimit të saj, ajo vazhdon të japë një kontribut të çmuar në ruajtjen e identitetit gjuhësor dhe kulturor, duke i frymëzuar të rinjtë që të mos e humbin lidhjen me librin dhe vlerat që ai përcjell.

Ky publikim është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Medias.

/ Fondi për nxitje të pluralizmit dhe shumëllojshmërisë të mediave /

SHARE