Drita Pelinku është gastronome e diplomuar në Prishtinë, e cila karrierën e saj profesionale e ka ndërtuar në Ulqin, duke u angazhuar për shumë vite në fushën e gastronomisë. Përmes punës dhe përkushtimit të saj, ajo kontribuon në ruajtjen dhe promovimin e kulturës gastronomike dhe recetave tradicionale, të cilat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare. Kuzhina tradicionale, sipas saj, nuk është vetëm ushqim, por edhe histori, kujtime dhe identitet që përcillet nga brezi në brez. Përmes gatimeve dhe recetave tradicionale ruhen zakonet, mikpritja dhe kultura e një populli, duke bërë që gastronomia të ketë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore. Interesimi i saj për kuzhinën ka nisur që në fëmijëri, kur për herë të parë u njoh me traditat dhe gatimet familjare, të cilat me kalimin e viteve u shndërruan në pasion dhe më pas në profesion. Sipas saj, gastronomia është një profesion i bukur, por njëkohësisht shumë i lodhshëm për ata që nuk e bëjnë me dashuri dhe përkushtim. Gjatë gjithë rrugëtimit të saj profesional, ajo ka pasur mbështetjen e vazhdueshme të familjes, gjë që e konsideron shumë të rëndësishme për suksesin dhe motivimin në punë. Ajo thekson gjithashtu se ky profesion kërkon shumë kohë, sakrificë dhe angazhim, duke bërë që shpesh të mbetet pak kohë për familjen dhe jetën private. Përmes përvojës dhe punës së saj, Drita Pelinku paraqet një shembull të një gruaje që, përmes profesionit dhe dashurisë për traditën, kontribuon në ruajtjen e kulturës gastronomike dhe vlerave tradicionale shqiptare, duke i përshtatur ato edhe me kohën moderne.
Ky publikim është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Medias.
/ Fondi për nxitje të pluralizmit dhe shumëllojshmërisë të mediave /











