SHBA, MILIARDA USD INVESTIME NË BALLKAN

Shtetet e Bashkuara po intensifikojnë praninë e tyre ekonomike dhe strategjike në Ballkan përmes investimeve miliarda dollarëshe në sektorin e energjisë, me fokus të veçantë te gazi natyror i lëngshëm (LNG).

Objektivi kryesor është forcimi i rolit amerikan në tregun energjetik europian dhe zvogëlimi i varësisë së vendeve të rajonit nga furnizimet me gaz rus. Sipas një analize të gazetës gjermane Kölner Stadtanzeiger, Uashingtoni po shfrytëzon transformimin e tregut energjetik evropian pas luftës në Ukrainë për të zgjeruar ndikimin e tij gjeopolitik në Ballkanin Perëndimor.

Përmes investimeve në terminale LNG-je, gazsjellës dhe marrëveshje afatgjata furnizimi, SHBA-ja synon të pozicionohet si furnizuesi kryesor i gazit për vendet e rajonit. Një nga projektet më të rëndësishme të kësaj strategjie është gazsjellësi Southern Interconnection, i cili do të lidhë terminalin e gazit të lëngshëm në ishullin Krk të Kroacisë me Bosnjë dhe Hercegovinën. Projekti me gjatësi 236 kilometra ka nje vlerë të parashikuar prej 1.5 miliardë dollarësh.

Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, ka deklaruar se Uashingtoni e konsideron këtë investim një element të rëndësishëm të bashkëpunimit energjetik me Ballkanin. Për Bosnjë dhe Hercegovinën, projekti ka rëndësi të veçantë strategjike. Aktualisht, vendi mbështetet pothuajse tërësisht në gazin rus që transportohet përmes gazsjellësit TurkStream, i cili kalon nëpër Bullgari dhe Serbi. Me përfundimin e Southern Interconnection, të planifikuar për vitin 2028, Sarajeva do të ketë për herë të parë qasje direkte në burime alternative dhe jo-ruse të gazit natyror.

Megjithatë, mënyra e realizimit të projektit ka shkaktuar debate në Bruksel. Qeveria e Bosnjë dhe Hercegovinës i dha kompanisë amerikane një koncesion 30-vjeçar pa zhvilluar një tender publik, duke u mbështetur në një ligj të veçantë. Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se shmangia e procedurave standarde të prokurimit mund të ndikojë negativisht në integrimin e vendit në tregun evropian të energjisë dhe në përfitimin e fondeve të zhvillimit për Ballkanin Perëndimor. Pavarësisht këtyre rezervave, investimet amerikane në rajon thotë DW, shihen pozitivisht nga shumë qeveri ballkanike.

Kompanitë amerikane po investojnë në infrastrukturën digjitale të Ballkanit me synimin për të kufizuar praninë e kompanive kineze si Huawei dhe ZTE, ndërsa në të njëjtën kohë po forcohet edhe bashkëpunimi ushtarak me vendet e rajonit.

SHARE