TIRANË, QYTETARËT NË DITËN E PESTË TË PROTESTËS KUNDËR PROJEKTIT NË ZVËRNEC

Në Tiranë u mbajt protesta e 5-të kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec.

Edhe në këtë ditë të 5-të të protestës në kryeqytet, protestuesit kërkojnë anulimin e planit për ndërtimin e një resorti luksoz në Zvërnec, që sipas qeverisë parashikohet të kapë vlerën e 4 miliardë dollarëve.

Ashtu si në 4 ditët e kaluara, qytetarët u grumbulluan filllimisht te Sheshi Skënderbej, nga ku marshuan drejt Kryeministrisë. Para godinës kryeqeveritare, protestuesit mbajtën edhe 1 minutë heshtje për efektivin e Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili sot humbi jetën gjatë operacionit në Maliq për kapjen e një të shumëkërkuari.

Protestuesit kërkojnë anulimin e planit për ndërtimin e resortit luksoz në Zvërnec, duke ngritur gjithashtu një sërë kërkesash të tjera ndaj qeverisë.

Ata kërkojnë shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike, shfuqizimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore shqiptare, por edhe dorëheqjen e qeverisë.

Gjatë protestës, organizatorët u bënë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që t’i bashkohen kundërshtimit të projektit.

“Kanë hequr gardhin dhe po ju thonë të shkoni të protestoni atje, që më pas t’ju shantazhojnë ose të krijojnë incidente. Mos bini pre e këtyre kurtheve, sepse janë kurthe. Qeveria është këtu në Tiranë”, u shprehën protestuesit gjatë tubimit.

Nga ana tjetër, Edi Rama është përgjigjur me një video nga ‘Porto Montenegro’, që sipas kryeministrit është një histori suksesi për këtë shtet.

“Live nga perla që e sollën këtu dikush që e përzunë nga Shqipëria. O çuna goca na e kaluan njëherë këta vëllezërit e vegjël topin për shalësh, për fajin e honxhobonxhove tanë që e lanë topin ta marrë deti. Po tani s’bëhet llaf më, ta harrojnë të gjithë ata që thonë s’duan apo s’na duan, se na kalon prap huq topi i historisë së Shqipërisë së Re Europiane”, ka shkruar Rama në Facebook, krahas videos së shpërndarë.

SHARE